Friday, August 22, 2014

Rritja e pagave dhe pensioneve, nga 15 korriku

Rritja e pagave dhe pensioneve do të bëhet ashtu siç është parashikuar në ligjin e buxhetit të shtetit dhe do të jetë efektive, duke filluar nga 15 korriku.
Gjatë një prononcimi zyrtar për mediat, Ministria e Financave ka hedhur poshtë deklaratat mediatike, se qeveria shqiptare nuk do të bëjë efektiv premtimin e saj të dhënë para zgjedhjeve. Në deklaratën e saj, financat kanë ritheksuar edhe një herë se, vendimi për rritjen e pagave, është një dëshmi që ekonomia shqiptare ka pësuar rritje ekonomike. Vendimi vjen në një kohë, kur vendet e tjera po i ulin pagat dhe pensionet, për shkak të problemeve që kanë me menaxhimin e financave publike.
Nga ky vendim i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve do të përfitojnë direkt 800 mijë familje.
Sipas skemës  së  rritjes, rrogat mesatare do të rriten në masën 5%. Ndërkaq, pensionet e qytetit do të rriten me 4%, ndërsa pensionet e fshatit me 5%. "Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2013 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë", njofton dikasteri i Bodes. Kjo do të thotë se, pagat e administratës do të rriten deri në 2% aq sa është edhe norma e inflacionit këtë vit, ndërsa do të ketë një rritje më të lehtë deri në 3-4 për qind për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Ministria e Financave bën me dije se, shpenzimet e personelit për vitin 2013 u bazuan në një politikë që synon rritjen e eficensës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore.
Këto shpenzime parashikohen të ulen në terma realë dhe të jenë rreth 5.1% e PBB-së në krahasim me 2012-ën.
Gjithashtu, fondi i pagave është përllogaritur, duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga korriku i 2013.
Ministria e Financave sqaron, gjithashtu, se këtë vit në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vete fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2013 do të përdoret vetëm pas miratimit të ministrit të Financave në përputhje me performancën e të ardhurave sipas rasteve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ligji për buxhetin e shtetit

Sipas ligjit të buxhetit, fondi për rritjen e pagave për vitin 2013 do të jetë rreth 2.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 1-5 për qind.
Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i këtij viti, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime.
Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten.
Qeveria edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës, pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Sipas programimeve në buxhet, fondi në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve është rreth 3 miliardë lekë.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë me dije se, Shqipëria është vendi me faturën sociale më të lartë në rajon, për shkak të politikave shumë agresive që përdori qeveria për të zbutur varfërinë në mandatin e shkuar, por edhe në këtë që vijon.

Pagat-të dhëna

Rritja e pagave hyn në fuqi në korrik
Pagat e larta rriten me 2%
Pagat e ulëta 3-4%
Fondi për rritjen e pagave 2.5 miliardë lekë

Reformat në sektorin e pensioneve që konkretizohen deri në fund të vitit

-Informatizimi i sistemit të administrimit të kontributeve, krijimi i rekordeve individuale të periudhës së sigurimit dhe ndërfaqësimi i këtyre sistemeve me programin e administrimit të derdhjes së kontributeve, të zyrës së tatim-taksave.
- Administrimi i fondeve të alokuara nga Buxheti i Shtetit për programe të veçanta të qeverisë nëpërmjet përditësimit të informacionit dhe koordinimin e punës me Shërbimin Social Shtetëror dhe organet e pushtetit vendor.
- Administrimi i fondeve të alokuara nga Buxheti i Shtetit për përfitime suplementare për punonjësit e shtetit, për SHISH dhe Gardën, për Policinë e Shtetit, për minatorët, për statusin "Dëshmor i Atdheut", punonjësit e ndërmarrjeve ushtarake.
- Administrimi i fondeve të alokuara nga Buxheti i Shtetit për përfitime suplementare, për ushtaraket e MM, për pilotët fluturues në pension dhe ushtarakët e nëndetëseve në pension. Implementimi i programit të krijimit të llogarive personale të kontribuesve.
- Përmirësimi i menaxhimit të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe fillimi i procesit të dixhitalizimit të dokumentacionit arkivor.
- Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve me 4% dhe shmangia e presioneve për pensione të parakohshme nëpërmjet:
- Përmirësimit të metodës së indeksimit të pensioneve dhe nxitjes së formimit të kolonës së dytë e të tretë të sistemit të përgjithshëm;
- Vazhdimit të procesit të nisur për ngushtimin e diferencave në pensionet e fshatit me qytetin dhe harmonizimi i këtij procesi me masën e kontributit dhe pjesëmarrjen në skemën e sigurimeve;
- Përfshirja më e gjerë e të vetëpunësuarve në zonat rurale në skemën e sigurimeve shoqërore të detyrueshme.
- Zhvillimi dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale të ISSH-së për të garantuar një menaxhim sa më efikas të skemës së sigurimeve shoqërore e një administrim korrekt e ligjor të shpenzimeve.
- Përmirësimi i raporteve kontribues përfitues dhe pagë/pension minimal me pagë/pension maksimal.

Plani afatmesëm i rritjes së pagave e pensioneve për 2014

Plani afatmesëm që shtrihet deri në vitin 2014, i hartuar nga Ministria e Financave dhe qeveria parashikon disa reforma strukturore në sistem për buxhetin e ISSH.
"Të ardhurat e pensionistëve mund të rriten maksimalisht me 4 për qind në vit, si një indeksim për të përballuar rritjen e përvitshme të çmimeve", bën të ditur Ministria e Financave në planin e saj.
Objektivat tërësore dhe specifike të buxhetit afatmesëm 2014 kanë përmirësimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe të sistemit të pensioneve publike në veçanti.
Një nga nismat do të jetë rritja e pagës, mbi të cilën paguhen kontributet jo më pak se indeksi i pensioneve, si dhe përmirësimi i procedurave administrative në funksion të uljes së evazionit të kontributeve dhe rritjes së të ardhurave.
Në themel të programimit afatmesëm do të jetë grumbullimi i të ardhurave nga kontributet e fermerëve dhe sigurimet vullnetare, administrimi eficent i fondeve përkohësisht të lira dhe i fondit rezervë.
Të ardhurat në fondin e sigurimeve shoqërore në vitin 2012 pritet të rriten me rreth 4% ndaj të pritshmit 2011, ndërsa në vitin 2014, 14.8% më shumë se viti 2011.
Shpenzimet në buxhetin e ISSH-së (për sistemin e detyrueshëm, suplementar dhe trajtimet), në vitin 2012 rriten me 3.5% ndaj vitit 2011, ndërsa në vitin 2014 rritja parashikohet 18.4%.
Shpenzimet për fondin e pensioneve publike në vitin 2012 parashikohen 4.2% më të larta se në vitin 2011, ndërsa në vitin 2014 rreth 19% më të larta.
Masa e pensioneve parashikohet të rritet për çdo vit me një indeks që së paku të mbulojë rritjen e indeksit të çmimeve të mallrave të shportës, ose rreth 4%. Në harkun e tre viteve parashikohet të suprimohen lehtësitë kontributive për kontributet e sigurimeve shoqërore të fermerëve, duke i barazuar ato me kontributet që paguhen nga personat e vetëpunësuar në aktivitete jobujqësore. Duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe efektet mbetëse të rritjeve nga një vit në tjetrin, përsëri parashikohet që transfertat në buxhetet familjare nëpërmjet ISSH-së, të cilat rrjedhin nga sistemi i pensioneve dhe trajtimet e veçanta të jenë në nivelet e 6.5% të PBB-së.

Rritja e pensioneve për pensionistët

Rritja e pensioneve për 2013-ën do të jetë në të njëjtin nivel me atë të vitit të shkuar, ndërkohë që prej saj do të përfitojnë 600 mijë pensionistë në fshat dhe në qytet.
Edhe për këtë vit, rritja e pensioneve do të jetë e diferencuar sipas kategorive, ndërsa prioritet do të mbeten pagesat e ulëta, siç janë edhe pensionet e fshatit.
Por, pas tyre nuk do të ngelen as pensionistët që jetojnë në qytet dhe marrin pensione minimale. Pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, edhe për vitin 2013, qeveria ka parashikuar fonde për rritjen e pensioneve, dhe ky fakt është bërë i ditur tashmë edhe nga Ministria e Financave.
Rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga përparësitë e politikës ekonomike të qeverisë edhe për vitin 2013.

Shpërblimet e menjëhershme për ushtarakët

Qeveria shqiptare merr përsipër të sigurojë përfitime suplementare për të gjithë ata persona që bëhen përfitues të nenit 2 të këtij ligji.
Kësaj kategorie do t'u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, për: paaftësi të përkohshme në punë e shërbim; parandalim për sëmundje; rehabilitim shëndetësor; shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë; pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi; pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë; pension suplementar invaliditeti; pension suplementar familjar; pension suplementar familjar, kur, për shkak të detyrës, humbasin jetën; pagesa suplementare për shpenzime varrimi. Gjithashtu, është përcaktuar edhe masa e përfitimit për paaftësi të parakohshme në punë. Ushtaraku i shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i Shërbimit Informativ të Shtetit, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për kohën që, për arsye shëndetësore, bëhet i paaftë për punë, paaftësi, e cila vërtetohet me raport mjekësor, merr përfitime suplementare.

Përllogaritja e masës së përfitimit

Ndërkohë, masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë do të llogaritet sa: 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë; 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim; 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.
Gjithashtu, ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, e punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në varësi të situatave operacionale, sipas përcaktimit të bërë nga Komisioni Mjekësor Ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje.
Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim, përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni.
D. ÇOKAJ

Login Form