Wednesday, September 03, 2014

Përllogaritja e çmimeve për objektet shtetërore që privatizohen

Ekspertët vlerësues do të jenë ata, që do të përcaktojnë çmimin aktual të tregut, për të gjitha ato raste kur nuk është vendosur një çmim. Kështu, në zbatim të pikës 8, në kreun II, komisioni i vlerësimit, pas marrjes së dokumentacionit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe

Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse trualli përkatës ka pronarë të njohur apo të kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe çmimin përkatës të truallit ku ndodhet objekti, sipas hartës së çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave në fuqi.
Në rastet kur ky çmim nuk ekziston, eksperti/ët vlerësues të caktuar për vlerësimin e pronës, përcakton/jnë çmimin aktual të tregut të shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet.
AKKP-ja, brenda 10 ditëve nga administrimi i kërkesës nga dega e shoqërisë publike, i dërgon kësaj të fundit çmimin përkatës të shitjes së truallit të objektit që privatizohet të miratuar me VKM, si dhe vendimet përkatëse të kthimit dhe kompensimit të pronave nëse ka, shoqëruar me vulë lidhëse me planvendosjen e saktë të pronës, ku të jetë përcaktuar qartë kufiri i pronës, si dhe çdo informacion shtesë që lidhet me vendimin përkatës të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ky institucion mban përgjegjësi ligjore për mosrespektimin e afatit të mësipërm. Për rastet e privatizimit tërësor të ndërmarrjeve, të linjave të shërbimit dhe të prodhimit të objekteve, së bashku me makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit: Dokumentacioni i vlerësimit të objekteve ndërtimore të veçanta, pasi të kenë kaluar të gjitha procedurat, do të dërgohen nga METE në MF (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike).
Ndërsa dokumentacioni i vlerësimit të pasurive të luajtshme, si makineritë dhe pajisjet, mjetet e transportit, mjetet e xhiros etj., që privatizohen të veçuara, pasi përgatitet nga komisioni i vlerësimit, përcillet prej tij në degën e shoqërive publike përkatëse, e cila pas kontrollit e dërgon në MF (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike).

Çfarë duhet të përmbajë dokumentacioni i vlerësimit 

Dokumentacioni i vlerësimit të objekteve duhet të përmbajë shkresën përcjellëse të degës së shoqërive publike përkatëse, relacionin e komisionit të nënshkruar nga të gjithë anëtarët, raportin e vlerësimit të hartuar nga eksperti/ët dhe të nënshkruar prej tyre, shkresën e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, së bashku me dokumentacionin plotësues nëse ka, shkresën e AKKP, si dhe dokumentacionin plotësues nëse ka, miratimi i privatizimit, shkresa për ngritjen e komisionit të vlerësimit, si dhe genplani përkatës i konfirmuar nga Prefektura. Vlerësimi i aseteve, për kontratat e shitjes, të cilat janë shpallur të pavlefshme nga gjykata, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme dhe dosjet e tyre janë kthyer në METE nga MF-ja, bëhet nga komisioni i vlerësimit, i ngritur për këtë qëllim nga METE sipas gjendjes faktike të tyre, duke përcaktuar vlerën e tregut. Pas administrimit të dokumentacionit të vlerësimit të pronës të dërguar nga dega e shoqërive publike në METE, strukturat përkatëse të kësaj të fundit të ngarkuara me punë për këtë qëllim, kryejnë verifikimin nëse ky dokumentacion ka kaluar në hallkat përkatëse sipas kërkesave të përcaktuara në VKM-në Nr. 428, datë 9.6.2010 dhe këtë udhëzim nëse e gjejnë atë të rregullt, përgatitin praktikën përkatëse për ta përcjellë atë në MF për realizimin e procedurave të shitjes.

Kur trualli ka pronar

Sipas VKM-së “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, për rastet e shitjes së objekteve për të cilat është konfirmuar se ka pronar trualli, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF afishon njoftimin në ambientet e saj, ndërsa dega e shoqërive publike përkatëse (sipas të dhënave të dërguara nga DASHPP-ja) në objekt dhe ambientet e ndërmarrjes që e administron atë.
Ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin apo çdo subjekt tjetër që në bazë të dokumenteve që disponon, pretendon të ketë pronësi mbi truallin e objektit që privatizohet, duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF, brenda një afati 20 ditor nga dita e publikimit (afishimit), duke depozituar: 1) kërkesën me shkrim, në të cilën shprehet se dëshiron të blejë objektin e publikuar për shitje; 2) dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20% të vlerës totale të objektit (mjete kryesore + mjete xhiro), pa vlerën e truallit të objektit që kërkon të blejë; 3) vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve të noterizuar, të shoqëruar me planvendosjen e pronës; 4) çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili përcakton se ai është pronar i tokës; 5) dëshmi trashëgimie; 6) prokurë të posaçme përfaqësimi dhe marrëveshje të dokumentuar midis bashkëpronarëve, kur ka të tilla. Në rast se, ish-pronari i truallit (trashëgimtarët e tij), nuk paraqitet për blerjen e objektit që ndodhet në truallin e tij, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF realizon shitjen me ankand të objektit dhe të truallit, sipas procedurave të këtij vendimi.

Vlera e përcaktuar për truallin

Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit, do të përdoret drejtpërsëdrejti për të kompensuar ish-pronarin. Në rast se, në procedurat e shitjes së objektit shprehet interes për blerje vetëm nga një ose një pjesë e trashëgimtarëve ligjorë të ish-pronarit, të përcaktuar në dëshminë e trashëgimisë, atëherë e drejta e parablerjes dhe gjithë të drejtat dhe detyrimet sipas këtij vendimi, realizohen nga trashëgimtari/rët, që kanë shprehur interesin dhe shitja bëhet në favor të këtyre të fundit, ndërsa marrëdhëniet e bashkëpronësisë dhe detyrimet reciproke midis të gjithë trashëgimtarëve u nënshtrohen dispozitave të Kodit Civil.
Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit në bazë të kërkesës së tyre për çdo pronar bëhet në bashkëpronësi të pandashme mes pronarëve të objektit. Bashkëpronarët u nënshtrohen dispozitave të Kodit Civil. Këto sipërfaqe, të cilat përcaktohen nga ekspertët vlerësues, duke u shumëzuar me çmimin për m² të konfirmuar nga AKKP-ja, japin vleftën që duhet të paguajë në lekë secili pronar.

Dokumentet dhe konfirmimi në AKKP

Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF konfirmon dokumentacionin e pronësisë të depozituar nga pronarët e truallit, pranë AKKP-së, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo çdo institucion tjetër që e konfirmon këtë dokumentacion.
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF, për rastet e shitjes së objektit personave të tretë nëpërmjet ankandit apo të pasurive të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë, kur ka të identifikuar pronarë trualli, për vlerën e truallit të shitur, njofton me shkrim sektorin e financës dhe buxhetit në MF, e cila duhet të derdhë në favor të pronarit të truallit vlerën e truallit përkatës për kompensim financiar.
Njoftimit me shkrim duhet t’i bashkëlidhet dokumentacioni si më poshtë: 1) Vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ish-pronarin apo çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që vërteton se ai është pronar i tokës; 2) Kontrata e shitjes së objektit bashkë me truallin; 3) Autorizimi për kalim pronësie; 4) Mandatpagesat që lidhen me pagesat e truallit. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në MF, për realizimin e procedurës së mësipërme, njëkohësisht me njoftimin e sipërcituar, i kërkon AKKP-së konfirmim, nëse ish-pronari (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar ose jo më parë kompensim financiar apo fizik mbi bazën e vendimit me të cilin është njohur prona ku ndodhet objekti i privatizuar, si dhe informacion mbi vlefshmërinë e vendimit përkatës.

Ish-pronari i truallit, që do të përfitojë kompensim financiar duhet të paraqesë në MF (sektori i financës dhe buxhetit) dokumentacionin ligjor, si më poshtë:
- Kërkesën me shkrim për kompensim financiar për truallin ish-pronë e tij;
- Dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë);
- Dëshmi trashëgimie;
- Prokurë të posaçme përfaqësimi, ku të jetë përcaktuar tagra e trajtimit financiar;
- Numrin e llogarisë personale të hapur pranë Raiffeisen Bank apo çdo banke tjetër e nivelit të dytë;
- Deklaratë noteriale që nuk ka përfituar kompensim financiar apo fizik për pronën truall, njohur me vendimin përkatës.
D. ÇOKAJ

 

Login Form