Tuesday, September 02, 2014

Taksa më të larta për 95% të shqiptarëve

Taksa progresive, e cila do të aplikohet nga qeveria duke nisur nga muaji janar i vitit që vjen është në fakt një rritje e fshehtë taksash dhe rreth 95 % e qytetarëve do të përjetojnë rritjen më të madhe të taksave. Nuk është vetëm një taksë në rritje që i bashkohet Paketës Fiskale, por janë një zë i konsiderueshëm taksash që pësojnë një rritje drastike, duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Bëhet e ditur se rritja në fjalë e taksave do të fillojë që nga ajo e makinave, akciza për cigaret dhe karburantet, TVSH, tatim-fitimi, taksa e sheshtë. Vlen këtu të përfshihet edhe deklarata që bëri vetëm pak ditë më parë, ministri i Bujqësisë se do të rrisë taksën për tokën bujqësore.
Vënia në jetë e një pakete fiskale, të cilën qeveria e prezantoi vetëm disa ditë më parë nuk ka arritur ende që të argumentojë ndërmarrjen e këtyre nismave absurde, ç’ka dëshmon qartë një të vërtetë të rëndësishme, se Kryeministri që do ta drejtojë qeverinë shqiptare është në fakt një herë një njeri pa vizion fiskal.
Por nga ana tjetër si padashur pre e këtyre trukimeve të qeverisjes Rama po bie edhe publiku, i cili nuk është në dijeni të terminologjive, të cilat në fakt janë po të njëjtat. Është një kryeministër, i cili së bashku me kabinetin e tij të ministrave nuk ka një politikë të parashtruar, apo që t’i ketë qëndruar dhe argumentuar nga fillimi deri në fund.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, ai luajti me këto shifra dhe një gjë e tillë është mëse e dukshme”, shprehet për gazetën deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu. Sipas tij, ai po bën demagogji fiskale dhe këtë e shohim jo vetëm me ndryshimin e terminologjisë, por edhe të normave që ka reklamuar herë pas here. Ndërmarrjen e një nisme të tillë e kanë kundërshtuar pothuajse të gjitha organizmat ndërkombëtare, duke e cilësuar si aspak të nevojshme në kushtet në të cilat ndodhet vendi ynë. “Kjo tregon se ai nuk kërkon të ndryshojë programin fiskal, sepse ja kanë thënë edhe biznesmenët e vet dhe ja ka thënë edhe FMN-ja. Ai keqpërdor faktin, se do të tolerojë që 95 për qind e shqiptarëve të mos paguajnë taksa, por nga ana tjetër, LSI e ka kundërshtuar hapur këtë sistem taksimi. Në këtë kuptim, e vetmja gjë që bën Rama është se ai u përpoq të modifikonte bukur veten e vet, ndaj dhe kjo do të jetë dhe e vetmja gjë që do të kërkojë të arrijë edhe në të ardhmen, kohë në të cilën ai do të ballafaqohet edhe me premtimet e dhëna para qytetarëve shqiptarë”, shprehet më tej Shehu. Duke rritur progresionin, niveli mesatar i taksës, do të dalë më i lartë. Po kështu, një kategori punonjësish, do të tatohen me norma shumë të larta tatimore, që do të thotë se do të goditet pjesa më e qënësishme e administratës publike, apo e menaxhimit, qoftë në sektorin publik, qoftë edhe në atë privat. Taksa progresive është në fakt vetëm se një rritje e fshehtë taksash. Ndërsa nga pikëpamja fiskale, ekspertët mendojnë se mbetet një precedent dhe presion për evazion fiskal, duke qenë kështu dhe i rrezikshëm. Kjo kategori, sipas ekspertëve është edhe ajo që merr paga relativisht më të larta.  Rama e publikoi atë fillimisht si një politikë, e cila do të zbatohej në mënyrë masive, pa dalluar të ardhurat nga fitimet e bizneseve, apo nga puna e punonjësve. Dhe nëse kjo politikë do të lokalizohet tek të ardhurat personale, natyrisht që goditet një pjese apo një klasë e rëndësishme e shoqërisë, që mund te quhet “klasa e mesme”.

Pse të ardhurat nuk po rriten më

Vendi jonë është aktualisht në atë fazë, kur kërkon të nxiten më shumë të ardhurat e të gjitha shtresave të popullsisë dhe jo të goditen grupe apo shtresa të caktuara. Nga pikëpamja fiskale, diferencimi i tatimeve të ndryshme direkte krijon precedent dhe presion për evazion fiskal.Në këtë rast për të ardhurat personale, do të rritet tendenca për të raportuar paga vetëm me nivelet ku norma e tatimit është më e ulët. Pavarësisht nga ajo që ndodh në realitet, pra niveli real i tyre, në raport me tatimet e tjera, po kështu, do të nxitet në mënyrë të natyrshme informaliteti sa u përket pagave me qëllim që të ulet ose të shmanget pagesa e normave të larta tatimore. Shqipëria është në një stad të tillë zhvillimi që duhet të stimulojë apo të nxisë krijimin e klasës së mesme të shoqërisë, sepse niveli i të ardhurave të vendit tonë, është dukshëm më i ulet se ai i vendeve në zhvillim. Në këtë rast, duke vënë në jetë uljen e normës për një grup taksash, për ato që janë me të ardhura të ulëta, spekulohet duke etiketuar të gjithë sistemin, si një i tillë që në tërësinë e tij do ta ulë barrën tatimore, por e vërteta është ndryshe.
Në fakt ulet barra për një grup, që është nën pagën mesatare.

Entela VRAPI

 

Login Form