Thursday, April 17, 2014

Taksa progresive në 2014, sektorët që shkatërrohen

Rritja e borxhit, ulja e ekonomisë, mbyllja e vendeve të punës do të masivizohen gjatë 2014. Madje, efektet e para do të fillojnë të ndjehen që në muajt e parë, kohë në të cilën Ministria e Financave vë në zbatim edhe taksën progresive. Burimet zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur, se konkretizimi i objektivave të buxhetit do të përfshijë edhe taksën progresive.
Ulja e taksave gjatë 4 viteve të ardhshme të qeverisjes socialiste do të jetë termeti i radhës për financat shqiptare, të cilat do të godasin ashpër ekonominë dhe punësimin.
Pikërisht për këtë edhe vetë politika e djathtë është shprehur se ulja e taksës është e rrezikshme, pasi u jep një goditje të madhe të ardhurave të bizneseve.
Në këtë drejtim, heqja e tatimit mbi biznesin e vogël me të cilin propagandoi Rama siç edhe në fakt parashtrohet në programin e qeverisë së re është vetëm demagogji ose gënjeshtër, pasi tatimit mbi të ardhurat personale praktikisht nuk mund që t'i shpëtojë askush.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për biznesin e vogël, pasi taksa e këtij të fundit është alternativë e taksës personale, e cila kërkohet nga një ligj përkatës, nga ai i ligjit për të ardhurat personale.
Por nga ana tjetër, Kryeministri për katër vitet e ardhshme, Rama do të bjerë me dy këmbët e veta në premtimin e dhënë para qytetarëve shqiptarë.
Po sipas tyre, taksa progresive është taksë, e cila ka për synim që të rëndojë më shumë kapitalin.
Kjo e fundit mund të quhet ndryshe edhe si një taksë mbi kapitalin, sepse ata që kanë fitime më shumë ju merr shumë më tepër taksë.
E gjitha kjo çfarë po bëhet në të vërtetë, është më shumë se një propagandë sesa realitet dhe nuk funksionon në vendet në zhvillim siç është Shqipëria, sepse vendi ynë ka nevojë për investime dhe duke goditur kapitalin në fakt goditet punësimi dhe rritja ekonomike.
Siç edhe shprehet Kryeministri Rama për taksën progresive nuk është e qartë.
E gjithë kjo dëshmon se, politika e Ramës është konfuze, pasi ajo nuk është parashtruar njëlloj që në fillim.
Sipas tij, deklaratat e PS-së kanë ndryshuar në kundërpërgjigje të politikave të PD-së dhe ka patur qëllim vetëm që të bëjë propagandë, duke luajtur me 95 dhe 5%.

A i shpëton biznesi i vogël tatimit në të vërtetë?!

Të gjithë e dimë se taksa e sheshtë dhe taksa e ulët, janë një faktor për thithje invetimesh dhe për konkurrueshmëri në rajon, ndaj dhe kjo do të thotë se, heqja e tatimit mbi biznesin e vogël, i cili parashikohet në programin e qeverisë është vetëm një gënjeshtër, pasi siç edhe është deklaruar askush nuk mund të lerë pa paguar tatimin mbi të ardhurat personale.
Dhe e njëjta gjë është edhe për biznesin e vogël, kjo, pasi taksa e biznesit të vogël është alternativë e taksës personale, e cila kërkohet nga një ligj përkatës, nga ai i ligjit për të ardhurat personale.
Në një rast të tillë, ai nuk heq tatimin mbi të ardhurat personale, pasi ato paguhen edhe nga ato që marrin rroga nga ata që marrin mbi 300 mijë lekë dhe në këtë kuptim do të paguajnë të gjithë ata që kanë biznes së vogël, sepse ata konsiderohen si të vetëpunësuar, sepse ata nuk paguajnë si të tjerët.
Kjo pasi, të dyja së bashku praktikisht arkëtohen si taksë mbi biznesin e vogël. Por, në esencë ato janë tatim mbi fitimin që taksohen në masën 10%.
E duke bërë gjoja se do të vërë drejtësi, në fakt qeveria po godet hapur kapitalin.
Është taksë e rrezikshme që do të godasë të ardhurat e biznesin dhe që nuk do të ofrojë vende pune.

Koha për nxitjen ekonomike dhe jo rrënimin e saj

Shqipëria është në një stad të tillë zhvillimi, që duhet të stimulojë apo të nxisë krijimin e klasës së mesme të shoqërisë, sepse niveli i të ardhurave të vendit tonë, është dukshëm më i ulët se ai i vendeve në zhvillim.
Kështu, vendi jonë është aktualisht në atë fazë, kur kërkon të nxiten më shumë të ardhurat e të gjitha shtresave të popullsisë dhe jo të goditen grupe apo shtresa të caktuara. Nga pikëpamja fiskale, diferencimi i tatimeve të ndryshme direkte krijon precedent dhe presion për evazion fiskal.
Në këtë rast, për të ardhurat personale, do të rritet tendenca për të raportuar paga vetëm me nivelet, ku norma e tatimit është më e ulët.
Pavarësisht nga ajo që ndodh në realitet, pra niveli real i tyre, në raport me tatimet e tjera, po kështu, do të nxitet në mënyrë të natyrshme informaliteti sa u përket pagave me qëllim që të ulet ose të shmanget pagesa e normave të larta tatimore. Në këtë rast, duke vënë në jetë uljen e normës për një grup taksash, për ato që janë me të ardhura të ulëta, spekulohet, duke etiketuar të gjithë sistemin, si një i tillë që në tërësinë e tij do ta ulë barrën tatimore, por e vërteta është ndryshe.
Në fakt ulet barra për një grup, që është nën pagën mesatare.

Modeli aktual i tatimit, mbron të ardhurat

Ai që ka më shumë të ardhura do të paguajë më shumë prej tyre në formën e tatimit. Prandaj, ekspertët i cilësojnë si masa me efekte mjaft të dëmshme, po të vihet re impakti që kanë në sistemin fiskal, sepse do të nxisin evazionin.
Me heqjen e taksës së biznesit të vogël, së shpejti do të vihet re edhe copëtimi i bizneseve të mëdha për t'u bërë të vegjël, vetëm për t'iu shmangur taksave, pra, do të konstatohen një sërë precedentësh të rrezikshëm fiskal.
Në të vërtetë, sistemi i sotëm që aplikohet për tatimin e të ardhurave e mbron atë me patatueshmërinë nën nivelin prej 30 mijë lekësh.
Ndërsa nga ana tjetër, ajo që është më negative ose demagogjike, mbetet që shihet norma margjinale e rritur.
"Në këtë kuptim, ajo që mbetet një rritje e fshehtë e taksave, siç edhe në të vërtetë është një politikë e mbetur në kundërpeshë, sepse nuk ka argumente sa i përket ndikimit që ajo do të japë", theksojnë ekspertët.
Nga ana tjetër, tatimi për biznesin e vogël që Rama theksonte ta hiqte fare duket sheshit një gënjeshtër, kjo pasi të ardhurat e biznesit të vogël, janë personale.
Kështu që, këtu bashkohen dy të ardhura, sepse ata nuk mbajnë bilance si të gjitha bizneset. "Pra, të deklarosh heqjen e taksës së biznesit të vogël, i ke gënjyer ata që janë në këtë biznes, sepse nuk mund t'u heqësh tatimin mbi të ardhurat personale, sepse ligji i sotëm i taton në mënyrë të ndryshme.
Këto janë politika vetëm për të krijuar një perceptim publik, se po u vendoska një drejtësi në tatime, në një kohë kur drejtësia më e madhe qëndron tek proporcionaliteti, tek taksa e sheshtë", shpjegojnë ekspertët.

Entela VRAPI

Login Form