Thursday, August 21, 2014

Dosjet e bandës së kupolës në polici

Në krye të Policisë së Shtetit kanë ardhur shërbëtorët e krimit të organizuar dhe trafiqeve si dhe dhunuesit e opozitës. Dosjet e kësaj kupole të policisë janë ato të njerëzve të inkriminuar që janë larguar nga radhët e policisë me motivacione që do të ishin të mjaftueshme për t’u dënuar me burg dhe jo për t’u rehabilituar ashtu sikurse ka bërë sot Rama dhe ministri i tij i Brendshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, ka marrë detyrën si shpërblim për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2001. Ai ishte kryedhunuesi i opozitës së asaj kohe dhe është një nga njerëzit që është shkarkuar nga vetë ministri socialist, sikurse është personi i dyshuar edhe për vrasjen e Flamur Pislit.
Didi nuk ka mbaruar Akademinë e Rendit Publik që është detyrim i pakapërcyeshëm ligjor, si dhe nuk ka shërbyer për një periudhe kohe 3-vjeçare në gradën drejtues i parë, pasi është larguar me gradën kryekomisar. “Emërimi në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të Artan Didit, është një shpërblim i pastër politik për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2001 të kryedhunuesit të opozitës së asaj kohe. Ky emërim është në kundërshtim të plotë me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi zoti Didi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në Ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Nuk ka mbaruar Akademinë e Rendit Publik, që është detyrim i pakapërcyeshëm ligjor. Nuk ka shërbyer për një periudhë kohe 3-vjeçare në gradën drejtues i parë, pasi është larguar me gradën kryekomisar. Nuk plotëson kriterin e detyrueshëm për 16 vjet pune në polici në 20 vjetët e fundit”, tha deputeti i PD, Ristani.
Po kështu, emërimi i dy zv/drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë është në kundërshtim me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi nuk plotësojnë kriteret e detyrueshme të Nenit 24, Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, pasi nuk kanë shërbyer tre vjet me gradën drejtues i parë. Deputeti Ristani kujtoi se, zoti Bizhga është me masën disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”. Ristani u shpreh se, ripranimet dhe emërimet në detyrë të Niko Brahimaj, Neritan Nallbati, Shaban Nexhi, Edmond Targaj, Perlat Cullhaj, janë kryer në kundërshtim me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi ripranimi i tyre është në kundërshtim me Nenin 58 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Në këto emërime, Ristani u shpreh se, janë shkelur procedurat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre. “Ripranimet dhe emërimet në detyrë të Niko Brahimaj, Neritan Nallbati, Shaban Nexhi, Edmond Targaj, Perlat Cullhaj, janë kryer në kundërshtim me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi ripranimi i tyre është në kundërshtim me Nenin 58 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Edhe tani që flasim, ata nuk kanë kryer procedurat administrative formale për t’u ripranuar në polici, siç janë kërkesa me shkrim, ose vërtetimi i personalitetit për periudhën që këta zotërinj nuk kanë qenë pjesë e policisë, procedura këto të detyrueshme për t’u plotësuar. Po kështu, për personat e mësipërm janë shkelur procedurat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave "Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre.

Kush janë dhe nga vijnë

Niko Brahimaj është shpërblyer me këtë post, në shkelje të plotë dhe flagrante të ligjit, me meritën e vetme se ashtu si Artan Didi, për arsyen e vetme se ka vjedhur me dhunë zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, dhe ka dhunuar opozitën

Neritan Nallbati është shkarkuar nga detyra e drejtorit të Policisë së  Qarkut në kohën e qeverisjes socialiste, në vitin 2004 për shkelje të rënda të ligjit, gjatë kryerjes së detyrës, lidhjet e tij me organizatat kriminale, persona me precedent kriminalë dhe për cenimin e provave gjatë hetimit të “Hakmarrjes për Drejtësi”.

Perlat Cullhaj, i shkarkuar nga detyra në vitin 2009, për shkelje të rënda të ligjit, në ushtrimin e detyrës, dhe i hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas të dhënave të shërbimeve partnere të huaja dhe Shërbimit Informativ Shqiptar, për lidhje me organizata kriminale, persona të inkriminuar dhe veprën penale të pastrimit të parave.

Edmond Targaj, është shkarkuar për veprime të dhunshme kundër opozitës së asaj kohe, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, në detyrën e shefit të Komisariatit në rrethin e Gjirokastrës. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm disponon materiale të plota për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme nga ana e Targajt, për trafik lëndësh narkotike dhe falsifikim të pasaportave.

Emërimet në detyrë edhe të drejtorëve në Policinë e Qarqeve, Ardian Cipës, Perlat Vatocit, Ilirjan Ballës, Lorenc Panganikës, Ervin Hodajt, Kastriot Skënderit dhe Haki Cakos, janë në kundërshtim të plotë, Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, kreu 3, konkretisht të Neneve 33, 34, 35 dhe 40, si dhe në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave "Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre".

Erind Kuçi

Login Form