Saturday, November 01, 2014

E drejta e përfitimit të pensionit pa librezën e punës

Në rast të humbjes së librezës së punës, duhet bërë deklarimi i viteve të punës pranë organeve të ISSH-së, për të mos rrezikuar marrjen e pensionit.
Pas verifikimit që do të bëhet nga këto organe, do të vërtetohet nëse pensionisti në bazë të deklarimeve të bëra ka të drejtë të përfitojë, si dhe përcaktohet se sa do të jetë masa e pensionit që do të marrë.
Për të kryer këtë procedurë, personi duhet të deklarojë me shkrim pranë organeve të ISSH-së ecurinë e viteve të punës në vendet ku ka qenë i punësuar.
Kjo procedurë duhet kryer për të gjithë personat që kanë dalë në pension para 1 janarit të 1994-ës. Ndërsa, për periudhat pas 1994, të dhënat për të gjitha kategoritë disponohen nga organet e ISSH-së, ku janë deklaruar kontributet.
Në këto kushte, këta njerëz që nuk i disponojnë dokumentat origjinale, janë të mirëpritur gjithmonë pranë institutit për të deklaruar periudhat ku kanë punuar.
Kjo në mënyrë të tillë që organet e ISSH-së të vihen në lëvizje, të kenë kohë të mjaftueshme për të bërë verifikimet dhe investigimet në bazë të pretendimeve që ka personi.
Pas kësaj procedure i kthehet përgjigje dhe i thuhet, se “ju zotëri në këto vite keni punuar këtu”, e kështu me radhë për të gjithë eksperiencën e punës që ky ka bërë.
Më pas, deklarohet se kaq janë periudhat e sigurimit dhe mbi bazën e tyre jepet pensioni që do të përfitojë.
Në këtë mënyrë, personat, të cilët janë në prag të daljes në pension, duhet të bëjnë deklarimin e saj, duke dorëzuar pranë organeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dokumentacionet përkatëse. Një ndër më të rëndësishmet është Libreza e Punës.
Mospasja e këtij dokumenti si dhe blerja e saj në rrugë për të përfituar në mënyrë të padrejtë, bëhen objekt kontestimesh nga specialistët e sigurimeve shoqërore.
Kështu, të gjithë ata persona, të cilët nuk e disponojnë këtë dokument, duhet të bëjnë një deklaratë me shkrim pranë organeve të institutit, ku të tregojnë ecurinë e viteve të punës dhe vendet se ku ka punuar dhe më pas bëhen verifikimet përkatëse nga instituti.
Pas kësaj kohe, përcaktohet dhe masa reale në bazë të viteve të punës që duhet të përfitojë si pension. Kjo për rastet e pensionit të para 1993.

Sigurimi, dokumentet që vërtetojnë vitet e punës

Kur një person, i cili pretendon të përfitojë pension, humb librezën, por realisht mban mend vitet e punës se ku i ka kryer, duhet të paraqitet në organet e sigurimeve shoqërore që në momentin, kur vjen koha për të dalë në pension.
Aty deklarohet me shkrim, se cilat janë vitet e punës së bërë, duke i deklaruar ato në bazë të ecurisë. “Aty ky person duhet të tregojë të gjithë hapësirën se ku ka punuar në vite, kjo gjithmonë bëhet fjalë para vitit 1993 ose që nga data para 1 janarit të 1994-ës.
Sepse të gjitha këto të drejta njihen me ligjin e ri të sigurimeve shoqërore.
Ndërkohë që, mbas ‘94-ës është më e thjeshtë, realisht duhet të ketë dokumenta për të vërtetuar një gjë të tillë në ISSH”, deklarojnë ekspertët e ISSH-së. Sipas tyre, përjashtuar në këtë rast nga kjo janë të gjithë ata që nuk kanë punuar asnjëherë, ndërsa për pjesën tjetër të gjitha këto dokumenta janë kontributive, kjo për të gjithë sektorët si për ata privatët, ashtu dhe për ata shtetërorët.
Më pas, nis verifikimi i të dhënave të deklaruara nga personi.
Kryerja e një procedure të tillë kërkon kohën e saj dhe më pas përcaktohet se sa do të jetë dhe masa e pensionit që do të përfitojë. Ndërsa, personat që janë mbas 1 janarit të ‘94-ës në marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore, atje ku kanë derdhur kontributet duhet të kenë depozituar listëpagesën; kur kjo listëpagesë nuk gjendet, është e pavlefshme.
Ndërsa të gjithë personat, të cilët pretendojnë se kanë punuar pas 1 janarit të ‘94-ës deri sot, duhet të kenë të depozituara vitet e punës, pavarësisht nga mënyra se si kanë lidhur marrëdhënien me sigurimet shoqërore, duke qenë të punësuar, të vetëpunësuar në qytete apo në fshat.
“Duke qenë persona të siguruar në mënyrë vullnetare, që të gjithë këta duhet të drejtohen me dokumenta financiare që vërtetojnë se personi në fjalë për hapësirat kohore që pretendon ka paguar kontributet shoqërore.
Çdo periudhë njihet si periudhë sigurimi vetëm në momentin që ka paguar kontributet. Nëse nuk ka kontribute dhe nuk vërtetohet me dokumenta që janë derdhur kontributet, nuk ka të drejtë për të përfituar”, deklarojnë më tej ekspertët.

Ligji për sigurimet shoqërore

Në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore, do të përfshihen në listën e përfitimit edhe ata persona, të cilët arrijnë të vërtetojnë se kanë më shumë se sa 15 vite pune të siguruara. Ndërkohë, që më parë kjo ka qenë rreth 20 vjet dhe mund të përfitojë pension të pjesshëm, tani është ulur me pesë vjet më pak. “Nëse ISSH-ja vërteton që ky person ka 15 vjet të siguruara i jepet pension i pjesshëm.
Por, nëse ky ka më shumë pretendime, për të marrë më shumë duhet të ndjekë dispozitat ligjore. Kështu, duhet t’u drejtohet komisioneve administrative të animimit; të gjitha këto ankesa bëhen për ato periudha, të cilat nuk i njihen si të drejta përfitimi ose në rastet kur i mungojnë dokumentat përkatëse. Procesi paraqitet deri në Gjykatë”, shpjegojnë ekspertët e ISSH-së. Sipas tyre, vendimet e Gjykatës mbeten të formës së prerë dhe shërbejnë për të vërtetuar faktet, se ka qenë apo jo i punësuar më parë.
Kur shkon çështja në Gjykatë, duhet të jetë palë detyrimisht dhe ISSH-ja, pasi në këtë mënyrë mbrohen fondet e skemës. Pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëhet vetëm verifikimi i dokumentacioneve që duhen për të përfituar dhe jo të prodhohen ato, pohojnë më tej ekspertët.

Pensionet që kanë kaluar këtë afat

Për të gjitha pensionet e pas kësaj periudhe është më e lehtë për të kryer një procedurë të tillë, pasi disponohen të dhëna në bazë të kontributeve të derdhura nga vetë personi.
Përcaktohet rregullorja e re e aplikimit për marrjen e pensioneve nga kategoritë e ndryshme që janë në prag të plotësimit të moshës së përfitimit.
Ekspertët e institutit shprehen se, ushtrimi i së drejtës për të paraqitur kërkesën paraprake për pension nga 1-12 muaj para mbushjes së moshës është i një rëndësie të veçantë dhe me efekte pozitive në të dy këndvështrimet edhe për administratën e sigurimeve, e cila fiton kohë për të caktuar pensionet dhe, nga ana tjetër, edhe për pretendentët për pension, që përfitojnë menjëherë pensionin.
Sipas tyre, afati i përgjithshëm i caktimit të pensionit është i grafikuar, i shkallëzuar me ditë pune në secilën hallkë të procedurës së caktimit të pensionit te secili inspektor që do të merret me verifikimin e dosjeve të depozituara për përfitim.
Ndërkaq, çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat, ku njoftohet data e tij e aplikimit, që do të pranohet i firmosur nga vetë përfituesi.

Ndryshimet e reja

Personat në prag të daljes në pension pleqërie kanë të drejtë, që pas miratimit të kësaj rregulloreje të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit para arritjes së moshës për pension, procedurë kjo që do të kryhet nëpërmjet plotësimit të një kërkese paraprake për pension, si dhe duke dorëzuar fotokopje të librezës së punës, nëpërmjet të cilës verifikohet edhe historiku i punës në vite.
“Duke mbajtur parasysh faktin, se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumentave për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës, do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu dhe strukturat e institutit për verifikim”, pohohet nga ISSH-ja.
Ekspertët e fushës pohojnë se, kjo procedurë duhet të kryhet për vetë faktin se, dokumentacioni i vjetërsisë në punë ka nevojë të verifikohet në burim në origjinë, pra, të bëhen aktverifikime të regjistrave themeltarë, të borderove etj.
Verifikime, të cilat duhet të kryhen në rrethe të ndryshme, atje ku është dokumentacioni, me qëllim që të koordinohen, të monitorohen si dhe të mos vonohen verifikimet është krijuar një post i ri pune, që është ai i inspektorit të përgjithshëm.

Plotësimi paraprak i kërkesës

Plotësimi i kërkesës paraprake duhet të shoqërohet dhe me një dokumentacion të nevojshëm verifikues.
Në këtë dosje duhet të jenë dokumenta të tilla, si: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës, çertifikatë lindjeje me fotografi, çertifikatë martese për kërkueset femra.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, synohet që të përmirësohet edhe cilësia e shërbimit ndaj pensionistëve, duke u mundësuar atyre marrjen e pensionit që në momentet e para të aplikimit, kohë në të cilën instituti do të ketë përfunduar të gjitha verifikimet përkatëse.
Kushtet për të përfituar një pension pleqërie nga 1 korriku i këtij viti deri në po të njëjtën datë të vitit 2011 janë të ndara sipas gjinive dhe profesioneve, në të cilat bëjnë pjesë përfituesit. Tabela përkatëse përcakton, që për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat 57 vjeç, ndërsa për gratë do të jetë 52 vjeç.
Për kategorinë e dytë të punëve, mosha e daljes në pension për burrat do të jetë 62 vjet e 6 muaj, ndërsa për gratë 57 vjet e 6 muaj. Mosha e përfitimit për kategoritë e tjera është e detajuar në tabelën përkatëse.

D. ÇOKAJ

Video - Momenti i ekzekutimit te biznesmenit Santo

Facebook Fun Page

Kerko Lajme

Suplement ne EKSPRES.AL

Publikimet e Fundit


Warning: Invalid argument supplied for foreach() in W:\inetpub\vhosts\rilindjademokratike.com\httpdocs\web\modules\mod_latestnews\helper.php on line 105

Me te Lexuarat


Warning: Invalid argument supplied for foreach() in W:\inetpub\vhosts\rilindjademokratike.com\httpdocs\web\modules\mod_mostread\helper.php on line 75

Login Form