Thursday, October 02, 2014

Konviktet, tarifa për studentët për vitin 2013-2014

 

Për vitin e ri akademik 2013-2014, në bujtinat e Qytetit “Studenti” do të strehohen vetëm 1800 studentë të rinj, përzgjedhja e të cilëve do të bëhet përmes sistemit meritë-preferencë të Maturës Shtetërore.

Në një prononcim për gazetën “RD”, drejtori i “Qytetit Studenti”, Bujar Brovina bën të ditur se tashmë ka nisur puna për rregullimin e ambienteve, të cilat do të jenë gati për studentët e vjetër dhe ata të rinj, regjistrimi i të cilëve do të bëhet gjatë muajit shtator.

 

Prej disa ditësh pranë godinave të banimit kanë nisur punimet për përmirësimin e kushteve të strehimit në bujtina ku pritet të akomodohen në total rreth 6000 studentë, pjesa dërrmuese e tyre rikthehen në konvikte për të frekuentuar vitin e ri studimor.

Brovina shton më tej se ndarja e dhomave për studentët e viteve të dyta e më lart, po shkon drejt mbylljes, teksa bën me dije se sistemimi i tyre nëpër dhoma është bërë duke marrë parasysh edhe preferencat e vetë studentëve (se me kë duan të ndajnë dhomën).

Aktualisht, pranë çdo bujtine është afishuar edhe lista e studentëve që do të qëndrojnë së bashku në një dhomë gjatë vitit të ri akademik.

Sa i takon strehimeve të reja, Brovina konfirmon se regjistrimi i tyre do të nisë në mbyllje të muajit shtator, kohë në të cilën do të ketë përfunduar edhe shpallja e regjistrimit të fituesve që do të vijojnë studimet e larta në një nga fakultetet publike të kryeqytetit. Kandidatët që kanë fituar statusin e studentit, me vërtetimin që do të marrin nga sekretaritë mësimore të fakultetit përkatës, do të regjistrohen pranë bujtinave të Qytetit “Studenti”, sipas godinave të përcaktuara.

Qyteti “Studenti” po bëhet gati për të pritur 1800 studentë të rinj që përzgjidhen nga Matura Shtetërore. Kaq është edhe numri i vendeve të lira që janë krijuar si pasojë e largimit të studentëve që janë diplomuar në mbyllje të vitit akademik që sapo kemi lënë pas.

Aktualisht, jemi në mbyllje të sistemimit të banorëve të vjetër, për të cilët kemi detajuar edhe dhomat ku do të qëndrojnë. Për të bërë sistemimin e tyre kemi marrë parasysh edhe vetë preferencat e studentëve. Këta studentë mund të mësojnë tashmë pranë çdo godine se me kë do të ndajë dhomën gjatë kohës së studimeve”, shprehet Brovina.

Për këta të fundit, Brovina ka sqaruar më tej se brenda pak ditësh gjithashtu do të bëhet publike në faqen zyrtare të internetit edhe shpallja e listave të plota, ku përcaktohen godinat dhe ambientet e strehimit për secilin prej tyre.

Kështu, çdo student i vitit të dytë deri tek ai i vitit të gjashtë do të mund të mësojë se në cilën dhomë do të qëndrojë, si dhe shokët me të cilët do të banojë gjatë vitit të ri akademik, që do të iniciojë në muajin tetor. “Lidhur me ndarjen e dhomave mund të themi se po shkojmë drejt mbylljes për studentët e viteve të ndërmjetme, ndërsa në mesin e muajit shtator, pasi të përcaktohen fituesit në universitete nga sistemi meritë-preferencë, do të çelim dhe procedurat e regjistrimeve për banorët e rinj. Për të përmirësuar cilësinë e jetesës, prej kohësh kemi nisur punimet për lyerjen e godinave dhe rehabilitimin e tyre”, konfirmon më tej Brovina. Duke iu referuar kapaciteteve pritëse dhe kërkesave për strehim, në çdo dhomë do të strehohen tre studentë. Gjithashtu, në planin e masave të marra përcaktohet se në të gjitha godinat do të ketë salla studimi. Njëkohësisht, në dhomat e strehimit të studentëve po vijon procesi i vendosjes së lavamanëve, pasqyrave, ndërrimin e dyshekëve vendosjen e mjeteve të ndryshme, si dhe do të shtohen dushet në katet përkatëse të godinave.

Tarifa e strehimit dhe regjistrimet sipas kategorive

Duke qetësuar studentët, Brovina bën të ditur se nuk është parashikuar ndonjë rritje e tarifës së strehimit në konvikte.

Në këto kushte çdo kandidat që do të fitojë të drejtën për të qëndruar gjatë vitit të ri akademik në këto konvikte do të paguajë një tarifë vjetore prej 40000 lekësh. “Këshilli Mbikëqyrës nuk ka marrë ndonjë vendim për rritje të tarifës së strehimit.

Parashikohet që të mbetet në të njëjtat nivele me tarifat e aplikuara gjatë vitit të shkuar. Ndryshime në këtë rast ka në formën e derdhjes së kësaj pagese.

Studentët e vitit të parë do të paguajnë këtë tarifë pranë drejtorisë në momentin e regjistrimit. Ndërsa ata të viteve të ndërmjetme me të gjithë procedurën do ta kryejnë përmes një llogarie të caktuar bankare”, sqaron Brovina.

Për të shmangur përplasjet apo kaosin në regjistrimin e banorëve pranë godinave do të veprohet fillimisht me akomodimin e viteve të dyta deri tek ato të gjashta, emrat e të cilëve tashmë po hidhen në faqen zyrtare të Qytetit “Studenti”: www.qytetistudenti.al. Ndërsa gjatë muajit shtator, pasi të jenë regjistruar në fakultet studentët fitues do të zbardhen edhe datat e regjistrimeve për kandidatët e rinj. Procedurë kjo, e cila do të realizohet pas marrjes së listave zyrtare nga dekanatet e fakulteteve. Sipas Brovinës, aktualisht studentët janë larguar për pushime, megjithatë gjatë kësaj periudhe janë çelur edhe dy godina: një për djemtë dhe një tjetër për vajzat, të cilat kundrejt një tarife të caktuar po qëndrojnë të hapura edhe gjatë sezonit të verës.

Studentët e viteve II-VI, e gjejnë online numrin e dhomës

Drejtori Brovina sqaron se me masat që ka marrë kjo drejtori, të rinjtë që do të banojnë në 29 bujtinat, ku rreth 17 prej tyre janë destinuar për vajzat, nuk do të përballen me radhët e gjata të marrjes së numrit të dhomës.

Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të mëparshme, për strehimet e 2013 është vendosur se do të regjistrohen edhe online në faqen elektronike, ku deri në fund të javës do të hidhen të gjitha të dhënat për dhomën dhe godinën ku do të strehohen studentët që frekuentojnë vitet e dyta deri tek ata të viteve të gjashta.

Në këtë mënyrë, Qyteti “Studenti” do të ketë një faqe në uebsitin e vet, ku do të afishohen të gjithë emrat e studentëve, numri përkatës i dhomës dhe i godinës. Për të mësuar këto detaje, studentëve do t’u duhet vetëm të klikojnë në këtë faqe. Pas verifikimit të këtyre të dhënave studentët në një afat të caktuar prej drejtorisë do të shlyejë edhe detyrimet financiare në filialet përkatëse të bankave.

Akomodimet gjatë muajit gusht

Të gatshme për akomodimin e studentëve, gjatë muajit gusht do të jenë edhe dy bujtina, të cilat do të jenë në dispozicion të studenteve femra. Burimet zyrtare sqarojnë se, shtimin e bujtinave për studentet femra, me rritjen e kërkesave për regjistrim nga ana e tyre. Qyteti i “Studentit” ofron shërbimin e internetit në çdo dhomë. Studentët, mund ta përdorin internetin 24 orë në ditë kundrejt një tarife mujore. Ata kanë mundësi që të lajnë teshat në minilavanterinë e bujtinës, ndërkohë që për ta është në dispozicion edhe lavanteria qendrore, e cila qëndron hapur nga ora 8:00-22:00. I vetmi shërbim shëndetësor privat në Qytetin “Studenti” është ai Stomatologjik dhe Farmacia.

Tarifa që do të paguhet

Çdo kandidat që do të strehohet në godinat e Qytetit “Studenti” në nisje të vitit akademik do të duhet të paguajë edhe koston vjetore të strehimit, e cila arrin në vlerën 40 mijë lekë. Për të shmangur përplasjet apo kaosin në regjistrimin e banorëve pranë godinave, do të veprohet fillimisht me akomodimin e viteve të dyta deri tek ato të gjashta, emrat e të cilëve do të hidhen në faqen zyrtare të Qytetit “Studenti”: www.qytetistudenti.com. Pas datës 11 shtator, kur do të shpallen fituesit në universitetet publike, do të çelen dhe datat për regjistrimet e kandidatëve të rinj që vijnë nga vitet e para. Kjo procedurë do të realizohet pas marrjes së listave zyrtare nga dekanatet e fakulteteve.

Qyteti “Studenti” aktualisht është thuajse bosh, pasi studentët janë larguar për pushime, megjithatë gjatë kësaj periudhe janë çelur edhe dy godina: një për djemtë dhe një tjetër për vajzat, të cilat kundrejt një tarife prej 600 lekësh do të qëndrojnë të hapura edhe gjatë sezonit të verës.

Plani i masave, 15 gusht përfundon lyerja e godinave

Godinat e Qytetit “Studenti” do të jenë gati pas datës 15 gusht, kohë në të cilën do të përfundojë dhe e gjithë lyerja. Ndërkohë, në planin e masave të marra përcaktohet se në të gjitha godinat do të ketë salla studimi. Ndërkohë, që në dhomat e strehimit të studentëve po vijon procesi i vendosjes së lavamanëve, pasqyrave, si dhe do të shtohen dushet në katet përkatëse të godinave. Po ashtu, premtohet dhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike në mënyrë të pandërprerë.

Regjistrimet për 1800 studentët e rinj nis në mbyllje të muajit shtator

Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë:

1. Çertifikatën me fotografi të periudhës korrik–tetor 2013 ose fotokopje e kartës së identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar.

2. Fotografi - 3 copë.

3. Vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje).

4. Raport mjekësor nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore.

5. Mandat pagesën.

6. Urdhër-regjistrimi nga inspektorët regjistrues, që janë të vendosur pranë çdo bujtine.

 

Video - Momenti i ekzekutimit te biznesmenit Santo

Facebook Fun Page

Kerko Lajme

Suplement ne EKSPRES.AL

Publikimet e Fundit


Warning: Invalid argument supplied for foreach() in W:\inetpub\vhosts\rilindjademokratike.com\httpdocs\web\modules\mod_latestnews\helper.php on line 105

Me te Lexuarat


Warning: Invalid argument supplied for foreach() in W:\inetpub\vhosts\rilindjademokratike.com\httpdocs\web\modules\mod_mostread\helper.php on line 75

Login Form